Lile është nënë e tre fëmijëve, sot farmaciste e diplomuar, e cila arriti të shpëtojë nga rrethi i dhunës në familje dhe të ndërtojë një jetë të re nga e para. Sot, Lile jeton e lirë me fëmijët e saj, punon si farmaciste dhe në mënyrë aktive ndihmon gratë e tjera të flasin, të luftojnë dhe t’i japin fund dhunës.
RRETHI NUK DUHET TË JETË JUSTIFIKIM PËR HESHTJE
Lile për vite të tëra jetoi në frikë të vazhdueshme, jo vetëm për veten, por edhe për tre fëmijët e saj. Çdo përpjekje për t’u larguar nga mjedisi i dhunshëm shoqërohej me pasiguri: si do t’ia dilte pa punë, pa shtëpi, pa patentë shoferi, pa siguri? “Kisha frikë si do të arrija, nuk kisha asgjë, as licencën nuk e kisha marrë,” rrëfen ajo. Por, edhe më e madhe ishte barra e kujdesit se si do të reagonin fëmijët, prindërit, njerëzit rreth saj. “Mendoja shumë për të gjithë, përveç për veten. Imagjinoni, në atë periudhë fëmijët e mi nuk guxonin të thoshin çfarë mendonin apo çfarë dëshironin,” pranon ajo.
Ky lloj mendimi i tepruar dhe analizimi shpesh shfaqet te viktimat e dhunës në familje, sidomos te nënat që përpiqen t’i mbrojnë fëmijët nga trauma shtesë. Frika e Liles nuk ishte vetëm personale. Pasiguria nëse rrethi do ta kuptonte dhe nëse historia e saj do të merrej seriozisht shpesh ushqente mosbesimin se diçka mund të ndryshonte. “Kisha bërë denoncim disa herë, por pikërisht policët që ishin miqësorë me ish-burrin tim më këshillonin të tërhiqesha dhe të qetësohesha, në vend që të vlerësonin sa e rrezikshme ishte situata për mua,” thotë ajo, duke përshkruar ndjenjën e pafuqisë në një mjedis ku të gjithë njihen dhe lidhjet personale kanë përparësi ndaj etikës profesionale.
Në komunitete të tilla, ku heshtja shpesh preferohet para së vërtetës, gratë përballen jo vetëm me dhunë, por edhe me mosbesim, thashetheme dhe frikë se nuk do të mbrohen.
BESON NË VETE KUR DIKUSH BESON NË TY
Në momentet më të vështira, Lile kishte mbështetjen e një personi që sot e quan “më shumë se motër”. Mjekja dhe mikja e saj ishte e para që i besoi, që e dëgjoi pa gjykim dhe që i ka dhënë forcë kur ajo vetë nuk mund ta gjente. “Çdo ditë, çdo minutë kur kisha nevojë, ajo ishte aty. Donte të kuptoja se nuk isha vetëm,” rrëfen Lile.
Pikërisht përmes saj, Lile mësoi për ekzistencën e linjës SOS të Këshillit Kombëtar për Barazi Gjinore dhe për mundësinë e marrjes së ndihmës profesionale. Këshillimi anonim ishte fillimi i daljes së saj nga rrethi i dhunës. “Edhe sot ajo është mbështetja ime më e madhe. Ende më jep forcë dhe më ndihmon të mbetem e guximshme,” thotë Lile.
KUR LIRIA E MUND FRIKËN
Në qendrën SOS ajo komunikonte çdo ditë me psikologun dhe ekipin, sepse kjo ishte e vetmja mënyrë e mundshme për të. Më pas vijoi mbështetja nga Qendra për Punë Sociale. Por, ndryshimin më të madh e përjetoi në qendrën e strehimit. Psikoterapia në qendrën e strehimit e ndihmoi të çlirohej nga frika, nga gjithçka që kishte mbajtur brenda me vite. “Në fillim mendoja se isha mirë, se mund ta përballoja atë që po më ndodhte,” rrëfen Lile, “por kur ndjeva lirinë dhe qetësinë, momentin kur ndjeva se isha e sigurt, kuptova se nuk isha mirë. Pas një periudhe të gjatë frike dhe tensioni, trupi im më në fund u çlodh. Atëherë filluan të shfaqeshin simptomat që deri atëherë ishin shtypur: dridhje, pagjumësi, makthe, shqetësim i brendshëm.”
Stresi kronik, ngrirja psikologjike, trupi dhe mendja e bllokuar, të gjitha këto janë pjesë e mekanizmit të mbijetesës. Te viktimat që jetojnë gjatë në traumë, këto reagime nuk janë të papritura, thonë ekspertët. Kjo është mënyra se si psiqika mbrohet derisa zgjat dhimbja.
Për këtë arsye edhe sot Lile me emocione pozitive kthehet në këtë vend dhe e quan “të preferuarin”. Sepse ndjehet e sigurt, e pranuar dhe e inkurajuar. “Kur nuk ndjehem mirë, kam nevojë të shkoj aty,” thotë Lile.
DY VITE MË VONË JETON JETËN QË E MERITON
“Kur vendosa se duhej të filloja nga e para, u largova vetëm me rrobat që kisha veshur dhe fëmijët, e sot pas dy vitesh kemi gjithçka,” thotë me shkëlqim në sy Lile. Punon si farmaciste, në profesionin që e do. Ka arritur të marrë licencën, të japë provimin për patentë shoferi dhe të blejë makinën e saj. Fëmijët janë të sigurt, shkojnë në shkollë dhe kopsht, rriten në një mjedis të qetë dhe stabil. Ajo vazhdon të kujdeset për shëndetin e saj mendor dhe rregullisht viziton psikologun. Dhe nuk ndalet këtu, ka certifikata për grim dhe kujdes, dhe tashmë është e regjistruar në specializim për diagnostikë mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Është mirënjohëse edhe për mbështetjen e prindërve, të cilët e ndihmuan të krijojë një shtëpi të ngrohtë për veten dhe fëmijët. “Jeta ime tani duket më e mirë se kurrë,” thotë Lile — dhe kjo nuk është vetëm deklaratë, por jetë që e jeton çdo ditë.
KUR NËNA ËSHTË MIRË, EDHE FËMIJËT DO TË JENË MIRË
Ajo flet nga përvoja dhe nga zemra. Çdo gruaje që gjendet në situatë të ngjashme i thotë: “Mendo së pari për veten. Kur nëna është mirë, edhe fëmijët do të jenë mirë.” Mesazhi i saj është i thjeshtë, por thelbësor — guximi nuk do të thotë të mos kesh frikë, por pavarësisht saj të bësh hapin e parë. Njëkohësisht, ajo dërgon apel tek institucionet: të reagojnë shpejt, me përgjegjësi dhe me ndjeshmëri ndaj viktimave të dhunës në familje. Proceset gjyqësore, masat e mbrojtjes, divorcet dhe kërkesat për banesa sociale nuk duhet të zgjasin me muaj e vite, sepse çdo ditë në pasiguri është ditë në të cilën gruaja lufton për sigurinë e saj. “Edhe unë jam një nga ato që ka dorëzuar aplikim për banesë sociale dhe pres përgjigje,” thotë Lile, “dhe shpresoj për një përgjigje pozitive.”
Kjo histori kujton se sa të guximshme dinë të jenë gratë edhe kur janë më të cenueshme. Ajo është frymëzim për të gjitha ato që luftojnë të ndryshojnë historinë e tyre. Në të ka shpresë, forcë dhe dëshmi se hapi i parë, edhe pse i vështirë, është i mundur. Ndërsa, për ato që ende heshtin, kjo është një thirrje e qetë –jeta pa frikë ekziston.
