Pas një lidhjeje të shkurtër dhe një martese të nxituar, 46 vjeçarja Tea, për vite me radhë është përballur me dhunë psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti. Dhuna shpesh ndodhte edhe para tre fëmijëve, duke lënë pasoja të rënda në fëmijërinë e tyre. Edhe krahas pengesave të shumta, ajo arriti të gjejë forcën për të marrë vendimin më të rëndësishëm – të largohej nga shtëpia dhe të fillonte procedurën e divorcit. Me ndihmën e rrjetit kombëtar për mbrojtjen e grave viktima, psikologëve dhe avokatëve, ajo ndërton të ardhmen e saj të re. Sot është një nënë krenare, ekonomikisht e pavarur dhe profesionalisht e realizuar. Mesazhi i saj për gratë është i qartë: “Mos prisni – çdo ditë në heshtje është një plagë e re.”
BARRA PSIKOLOGJIKE E PARAGJYKIMEVE
Historia e Teas është pasqyrë e shumë grave që, nën presionin e rrethit shoqëror dhe paragjykimeve, marrin vendime që më vonë u sjellin dhimbje të madhe. Presioni për t’u martuar “në kohë” dhe frika se fëmijët duhet të kenë patjetër një baba, e mbajtën të burgosur në një martesë që e torturonte fizikisht, psikologjikisht dhe emocionalisht.
“Toni filloi të pinte rregullisht. Shumë alkool gjithmonë nënkuptonte shumë grindje dhe dhunë. Në fillim ndodhte natën vonë, kur ishim vetëm, por më vonë edhe para fëmijëve,” dëshmon ajo.
Për Tean, izolimi u bë një formë e re mbijetese. “Të afërmit e mi më të ngushtë dhe shoqet duhej të qëndronin larg sepse Toni i kërcënonte. Më vinte turp nga miqtë,” thotë Tea. Kërcënimet jo vetëm që e mbanin në frikë, por e largonin edhe nga më të dashurit e saj.
SHTATZËNIA NUK ËSHTË ZGJIDHJE
Shtatzënia shpesh shihet si shpresa e fundit për shpëtimin e martesës, si simbol i një fillimi të ri dhe mundësie për ndryshim. Por dëshmia e Teas e zbërthen realitetin e ashpër: Fëmija nuk është garanci për t’i dhënë fund dhunës.
“Mbeta shtatzënë me fëmijën e tretë. Shtatzënia ishte e paplanifikuar, por jo e padëshiruar. Ishte shpresa ime e fundit që diçka do të ndryshonte. Por, edhe para se të lindte foshnja, unë jetoja në ferr. Në muajin e nëntë, i dehur dhe nervoz, burri im më tërhoqi zvarrë për flokët nëpër shtëpi. Atëherë mblodha forcë dhe ika,” rrëfen ajo.
Në vend të mbrojtjes, institucionet e kthyen sërish në rrezik: “Ku do të shkosh grua me atë bark, kthehu te fëmijët dhe burri yt” – ishin udhëzimet nga stacioni i policisë. E vetme, me vëllain si mbështetje të vetme, pas 48 orësh ajo lindi fëmijën e tretë. Pas lindjes, u kthye përsëri në shtëpinë e bashkëshortit të dhunshëm, e vetëdijshme se ky ishte fillimi i fundit.
KUR BABAI ËSHTË KËRCËNIM, JO MBROJTJE
Tea qëndroi në martesën e dhunshme edhe tre vite të tjera, e burgosur mes frikës dhe presionit shoqëror, me mendimin: “Kam tre fëmijë dhe nuk dua që ata të rriten pa baba.”
Por prania e një babai që është sinonim i dhunës nuk sjell mbrojtje, por kërcënim. Në një mjedis të tillë, ideja “të mos rriten pa baba” bëhet një iluzion i rrezikshëm që lë gjurmët më të thella te fëmijët. Te djali më i madh i Teas, pasojat u shfaqën në shkollë përmes sjelljes destruktive dhe agresive.
“Në kontroll i’u përshkruan qetësues që u jepen pacientëve me shizofreni,” dëshmon ajo, duke zbuluar peshën e traumës që mbante fëmija. Pas përshkrimit të terapisë, me qëllimin më të mirë, psikiatri i dha edhe këtë këshillë: “Gjendja e fëmijës nuk do të përmirësohet nëse nuk ndryshohet mjedisi ku rritet dhe jeton.”
Fjalët e ndërgjegjësuan Tean, e godisin si nënë dhe e detyrojnë t’a sheh të vërtetën e dhimbshme. Në atë çast – të mbushur me dhimbje, por edhe me vendosmëri – ajo vendosi të fillonte procedurën e divorcit.
MBËSHTETJE NJERËZORE PAS BETEJËS LIGJORE
Që nga fillimi, mbështetjen më të madhe e merr nga rrjeti kombëtar për mbrojtjen e grave viktima, i cili i siguroi ndihmë psikologjike për të dhe më vonë për fëmijët e saj, si dhe shoqërim të vazhdueshëm nga një punonjës social në çdo takim në Qendrën për Punë Sociale, me qëllim të mbrojë interesat e saj dhe për t’a inkurajuar. Përveç kësaj, rrjeti i dha një grant për të filluar biznesin e saj.
Në procedurat ligjore, fillimisht e përfaqëson një mike me kompensim minimal, por për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve ajo tërhiqet, pas së cilës avokati J.M. e mori rastin e saj pa rezervë dhe pa kompensim – jo vetëm për divorcin, por edhe për të gjitha procedurat penale që u hapën dhe ende vazhdojnë. Këmbëngulja e tij dhe prania në çdo seancë janë dëshmi se mbështetja e vërtetë nuk është vetëm ligjore, por edhe njerëzore. “Në asnjë seancë nuk më la vetëm – kjo më dha forcë të qëndroj,” thotë Tea.
KUJDESTARIA DHE BETEJA FINANCIARE
Marrja e kujdestarisë së fëmijëve nuk përfaqëson ndryshim në dinamikën e përditshme familjare – Tea edhe më parë kujdesej vetë për ta, ndërsa babai ka munguar dhe ka qenë i painteresuar. Por, konfirmimi ligjor solli një siguri të re: Njohje institucionale se fëmijët po rriten me një prind që është i pranishëm, i përgjegjshëm dhe i përkushtuar. Për të, kjo ishte simbol i stabilitetit dhe mbrojtjes, veçanërisht pas një beteje të gjatë dhe rraskapitëse nëpër institucione.
Pavarësia financiare u bë shtylla e dytë e realitetit të saj të ri. Me mbështetjen e familjes dhe rrjetit kombëtar, Tea fitoi mundësinë të fillonte biznesin e saj dhe të siguronte punë të qëndrueshme si asistente arsimore. Ajo nuk mbështetet te ish‑bashkëshorti – e ndërton të ardhmen e saj në mënyrë të pavarur, me forcë dhe mbështetje nga komuniteti. “Detyrimet ndaj fëmijëve gjithmonë kanë qenë detyrimi im, ndërsa shpenzimet përgjegjësia ime. Sot i mbaj me krenari dhe pavarësi,” thekson Tea.
Historia e Teas është dëshmi se rruga nga dhuna drejt lirisë është e gjatë, e vështirë dhe e mbushur me pengesa, por është e mundur. Ajo tregon se mbështetja institucionale është e rëndësishme, por se forca e vërtetë qëndron te guximi i një gruaje për të marrë vendimin më të vështirë dhe për të qëndruar. Sot Tea është simbol i rezistencës dhe shpresës – një nënë që arriti të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për fëmijët e saj, një grua ekonomikisht e pavarur që ndërton të ardhmen e saj me dinjitet. Mesazhi i saj për gratë mbetet i fuqishëm dhe i qartë: „E ardhmja jote varet vetëm nga ti.“
