Thirrje për propozime: Mbështetje për të rinjtë për fuqizim ekonomik dhe ndërmarrësi në rajonin e Koçanit*
Projekti i financuar nga BE-ja “Mekanizmi i BE-së për Qëndrueshmëri Civile, Faza II: Mbështetje për shoqërinë civile dhe organizatat bazë” shpall një thirrje të re për propozime për mbështetje në natyrë për organizatat e shoqërisë civile “Mbështetje për të rinjtë për fuqizim ekonomik dhe ndërmarrësi në rajonin e Koçanit*”. Thirrja financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit për Shoqërinë Civile dhe Programit për Mediat IPA III për Republikën e Maqedonisë së Veriut 2024–2025.
Kjo thirrje u kushtohet të rinjve të rajonit të Koçanit* dhe komunitetit të cilit i përkasin. Ajo mbështet veprime që i ndihmojnë ata të fitojnë aftësi digjitale, ndërmarrëse dhe në inteligjencë artificiale, të gjejnë punë dhe të zhvillojnë idetë e tyre. Kur të rinjtë rriten, bashkë me ta rritet i gjithë komuniteti.
Për t’i arritur këta të rinj, thirrja mbështetet te organizatat lokale të shoqërisë civile, të cilat mund të lidhen me të rinjtë që shpesh mbeten jashtë vëmendjes së arsimit formal dhe shërbimeve të punësimit. Thirrja i fton këto organizata të hartojnë dhe të zbatojnë veprime për të rinjtë dhe së bashku me ta.
Prioritetet e thirrjes
Çdo aplikant duhet të zgjedhë njërin nga dy prioritetet e mëposhtme dhe ta shënojë qartë zgjedhjen e tij në aplikim:
- Aftësitë digjitale, njohuritë për inteligjencën artificiale dhe fuqizimi ekonomik i të rinjve: ndihmë për të rinjtë që të fitojnë kompetenca digjitale dhe në inteligjencë artificiale, të cilat mund t’i përdorin për punë, për arsimim të mëtejshëm ose për punë të pavarur dhe ofrimin e shërbimeve online.
- Ndërmarrësia rinore dhe ndërmarrësia sociale: ndihmë për të rinjtë që të zhvillojnë aftësi ndërmarrëse dhe të krijojnë ndërmarrje të udhëhequra nga të rinjtë dhe ndërmarrje të vogla të reja (start-up), që sjellin vlerë ekonomike dhe shoqërore për komunitetin e tyre.
Mbështetja në dispozicion
Buxheti i përgjithshëm i thirrjes është EUR 300.000. Çdo veprim i përzgjedhur do të marrë mbështetje në natyrë nga EUR 10.000 deri në EUR 15.000 për një periudhë prej 10 muajsh, me mbulim të plotë të kostove të pranueshme. Nuk kërkohet bashkëfinancim. Projekti u paguan drejtpërdrejt ofruesve të shërbimeve për mallrat dhe shërbimet që i nevojiten veprimit. E vetmja pagesë që i bëhet organizatës është kompensimi për ekipin e veprimit.
Kush mund të aplikojë
Thirrja është e hapur për organizatat jofitimprurëse dhe joqeveritare të shoqërisë civile, të themeluara sipas Ligjit për shoqata dhe fondacione. Organizatat duhet të jenë të regjistruara dhe aktive në rajonin e Koçanit* të paktën tre muaj para publikimit të thirrjes dhe të kenë qarkullim vjetor nën EUR 50.000** në vitin e fundit financiar të mbyllur. Kanë të drejtë të aplikojnë edhe organizatat pa aktivitet financiar të mëparshëm.
Seancat informative
I ftojmë përzemërsisht organizatat e interesuara të marrin pjesë në njërën nga tri seancat tona informative, që fillojnë të gjitha në orën 11:00 (ora lokale):
- 15 tetor 2026 në Koçan (vendi do të konfirmohet)
- 27 tetor 2026 online
- 6 nëntor 2026 online
Për të marrë pjesë në seancat informative, ju lutemi dërgoni një email në crm-helpdesk@eu4cr.mk deri më 9 tetor 2026 në orën 17:00 (ora lokale). Në këtë email, ju lutemi shënoni emrin e organizatës suaj, si dhe emrat dhe adresat e email-it të deri në dy pjesëmarrësve.
Pyetje
Pyetjet mund t’i dërgoni në crm-helpdesk@eu4cr.mk deri më 6 nëntor 2026 në orën 17:00 (ora lokale). Të gjitha pyetjet dhe përgjigjet publikohen në www.eu4cr.mk në rubrikën “Pyetjet më të shpeshta”.
Si të aplikoni
Aplikimet duhet të paraqiten në gjuhën angleze. Ju lutemi dorëzoni Formularin e aplikimit (Aneksi A), Buxhetin (Aneksi B) dhe dokumentet mbështetëse përmes www.eu4cr.mk.
Afati i fundit për aplikim është 16 nëntor 2026 në orën 17:00 (ora lokale).
Dokumentet e thirrjes
Udhëzimet për aplikantët, Aneksi A – Formulari i aplikimit dhe Aneksi B – Buxheti mund të shkarkohen nga www.eu4cr.mk.
I mirëpresim propozimet e juaja.
* Për qëllimet e kësaj thirrjeje, rajoni i Koçanit përfshin komunat Koçan, Çeshinovë-Obleshevë, Zërnovc dhe Vinicë.
** Donacionet për ndihmë emergjente (p.sh. pas zjarrit) përjashtohen nga qarkullimi vjetor nëse paraqitet dëshmi.

