Lajme
07 Dhj

Heroinë nr. 6 (16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore 2025)

07 Dhjetor 2025

Sllavica është nënë e dy fëmijëve dhe grua që për dekada ka duruar dhunë në familje — fizike, psikologjike dhe ekonomike. Tridhjetë e pesë vite ka jetuar në një martesë ku sundonin kontrolli, poshtërimi dhe frika. Ajo ka punuar, por nuk ka pasur qasje në paratë e veta. Përditshmëria e saj ka qenë një betejë — për dinjitet, për paqe, për mbijetesë.
Pavarësisht traumës së thellë, sot Sllavica jeton e lirë. Punon, kujdeset për veten, lexon, shëtit dhe u ndihmon grave të tjera të bëjnë hapin e parë drejt lirisë.

KUR FRIKA ËSHTË PËRDITSHMËRI

 “Kur dëgjonim makinën që po vinte, unë dhe fëmijët shtriheshim dhe bënim sikur flinim. Vetëm që të mos e provokonim zemërimin e tij.” Ky ves nuk ishte zgjedhje — u krijua si instinkt për mbijetesë. Kur jeta është e mbështjellë me frikë, trupi dhe mendja nuk kërkojnë liri, por mënyrë për ta përballuar atë frikë. Për vite me radhë, Sllavica ka jetuar në gjendje traume kronike, ku çdo ditë ishte betejë me kërcënime të padukshme, e çdo çast — rrezik i mundshëm. Jeta e saj ishte shndëruar në heshtje. Të mos provokojë. Të mos dallohet. Të mos jetë arsye për mllef. Çdo ditë ishte strategji — e padukshmërisë, e vetëpërmbajtjes, e mbijetesës.

Por, dhuna nuk ishte vetëm fizike. Bashkëshorti i saj i atëhershëm kontrollonte çdo qindarkë. “Kurrë nuk kisha para me vete. Kartelën gjithmonë e mbante ai. Nëse duhej të shkoja te mjeku, më jepte 200 denarë ‘për çdo rast’.” Sllavica punonte, por nuk kishte qasje në pagën e saj. Për ushqim, për barna, për të shkuar te mjeku — duhej të kërkonte para. Kontrolli financiar ishte i vazhdueshëm dhe thellësisht poshtërues. “Shpesh regjistrohesha në dyqan që të mund të gatuaja drekë, e kur ai paguante borxhin me pagën time, ma sillte në shtëpi — vetëm për të më treguar sa ‘shumë shpenzoj’.”

NJOHJA

Një ditë, deri sa ishte në punë, në lokal është mbajtur punëtori për dhunën në familje nga një organizatë joqeveritare. Sllavica mori pjesë dhe dëgjoi histori të ndryshme. “Sikur e gjeta veten në tregimet e tyre,” thotë Sllavica.

Pas përfundimit të punëtorisë, ka filluar bisedë me një grua. Fjalët e gruas për të ishin mesazh se diçka duhej të ndryshonte:
“Jeta është betejë. Ne vetë duhet të luftojmë dhe askush tjetër në vendin tonë. Asgjë nuk të jepet e servuar në pjatë.”

Punëtoria i’a hapi sytë. Për herë të parë, Sllavica e sheh veten në tregimet e të tjerëve — në heshtje, në frikë, në betejën e përditshme që e kishte bërë pa fjalë. Dhe ky ishte momenti kur vendosi të largohej. Mori vetëm një çantë me rroba dhe vajzën e saj. Në fillim strehoet te motra.

Vendimi për divorc ende nuk ishte final. Sllavica ishte në dyshim nëse divorci ishte zgjidhje. Besonte se ndoshta ai do të ndryshonte, do të pranonte gabimet. “Për shkak të fëmijëve dhe biznesit familjar që kishim, herë pas here komunikonim. Ndonjëherë dukej i sinqertë, por shpejt kthehej në të vjetrën. Kuptova se sa më shumë të përpiqesha, aq më shumë fundosesha në rërë të gjallë.”

Fëmijët, në përpjekje për të ruajtur diçka të tyre, u kthyen të jetonin në shtëpinë e vjetër. Por, një natë, i dehur, babai i dëboi edhe ata. Në mes të natës. “Kjo ishte pika e fundit. Atëherë vdiq edhe shpresa ime e fundit se ai do të ndryshonte.”

Ky ishte momenti kur Sllavica ndaloi së kërkuari justifikime, ndaloi së shpresuari dhe më në fund e pranoi dhunën si diçka që nuk do të zhdukej. “Këtë herë nuk hezitova. Parashtrova kërkesë për divorc.”

EDHE TI MUNDESH

Pas kërkesës për divorc, Sllavica mori mbështetje psikologjike, juridike dhe emocionale nga organizata joqeveritare. “Më pritën me ngrohtësi dhe mirëkuptim. Ishte hera e parë që dikush më dëgjoi pa më ndërprerë,” thotë ajo.

Takimi me ekipin, dhe e thjeshta por vendimtare “ti mundesh”, ia rikthyen besimin se i’a vlen të luftojë — për veten, për të drejtat e saj, për jetën e saj. Mbështetja psikologjike e ndihmoi të rikthente vetëbesimin, ndërsa pavarësia ekonomike i dha ndjenjën e kontrollit. “Për mua kjo është paqe,” thotë Sllavica. “Të mund të vendos vetë çfarë do të blej, ku do të shkoj — pa u lutur.”

MË SË MIRI ËSHTË NË SHTËPI

Motra e saj ishte strehimi i parë — i sigurt, por i përkohshëm. Ndjenja e vërtetë e “shtëpisë” vjen dy muaj më vonë, kur Sllavica merr me qira apartamentin e saj. Hapësira ishte modeste, pothuajse bosh, por e saj. “Kisha frikë dhe gëzim. Ndjeva se më në fund po merrja frymë,” thotë ajo. “Kur sollëm perden e parë dhe gatuam drekën e parë, u ndjeva në shtëpi, edhe pse kishim vetëm disa gjëra.”

Ai apartament i vogël, me disa mobilje, u bë bota e saj. Hapësirë që e zgjodhi vetë, e rregulloi vetë. Pa rregulla të huaja, pa frikë. Për herë të parë, Sllavica nuk duhej të lutej, të shpjegonte, të justifikohej. Çdo gjë ishte zgjedhja e saj.

DIVORCI ËSHTË FILLIM

Divorci nuk është fundi. Për Sllavicën, është fillimi. Edhe pse ende përballet me proces gjyqësor për ndarjen e pasurisë, sot jeton me paqe në shpirt. “Qaja, por ishte një e qarë ndryshe— sikur po nxirrja gjithë peshën nga vetja,” thotë ajo.

Ndjenja e sigurisë erdhi gradualisht, përmes situatave të thjeshta të përditshme. Kur blen diçka për veten pa u justifikuar. Kur lexon një libër pa u ndërprerë. Kur sheh një film pa u frikësuar nga zhurma e çelësit në derë. Kur pi kafe dhe heshtja nuk është kërcënim, por qetësi. “Shtëpi tani do të thotë paqe, heshtje dhe siguri. Vend ku mund të jem ajo që jam.”

Sot, Sllavica është simbol i forcës së gruas. Është në kontakt me gra të tjera që kalojnë përvoja të ngjashme. U jep shpresë, flet sinqerisht, pa patetikë. “U them se mund të jetë ndryshe — sepse unë jam dëshmi e gjallë për këtë.”