Në Maqedoninë e Veriut, akoma ekzistojnë gra të cilat për shkak të frikës, gjykimit apo pengesave institucionale, nuk arrijnë të kërkojnë ndihmë me kohë dhe kalojnë vite duke jetuar në heshtje si viktima të dhunës në familje. Kjo është historia e Snezhanës, një grua 40‑vjeçare nga Shtipi, mjeke e përgjithshme dhe nënë e dy fëmijëve, e cila për shumë vite jetoi në një lidhje të dhunshme, e ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikologjike. Edhe pse aktive profesionalisht, jeta e saj private ishte e përndjekur nga kontrolli dhe kërcënimet. Lufta e saj vazhdon. Por dhuna është në të kaluarën.
XHELOZIA NUK ËSHTË DASHURI
Në shumë raste të dhunës në familje, kontrolli fillon me xhelozi. Gratë që janë aktive profesionalisht shpesh përballen me partnerë që e shohin suksesin e tyre si kërcënim. Në vend të mbështetjes, marrin kufizime. Në vend të partneritetit — mbikëqyrje. Dhuna nuk duhet domosdoshmërisht të përfundojë me nxirrje, por gjithmonë lë pasoja. “Ai ishte tmerrësisht xheloz. Për shkak të tij nuk shkova në specializim. Më vendosi kusht: ose familja ose karriera,” thotë Snezhana. Ky ishte presioni fillestar, të zgjedh mes zhvillimit personal dhe “qetësisë në shtëpi.”
SHTYRJA NUK DO TË THOTË PRANIM
Ashtu si shumë gra të tjera, edhe Snezhana qëndron në atë martesë jo sepse nuk e kuptonte çfarë po ndodhte, por sepse kur je nënë, vendimi për të ikur nuk është vetëm personal — është logjistik, financiar, emocional. “Nëna ime ka vdekur, ndërsa babai im ka qenë më i ftohtë si prind që nga fëmijëria e hershme,” rrëfen ajo.
Ky boshllëk, emocional dhe praktik, e shtyu vendimin për divorc. “Ndoshta edhe për shkak të vdekjes së nënës e shtyva divorcin për shumë vite, sepse e dija që nuk do të kisha ndihmë për kujdesin ndaj fëmijëve pasi punoja me tre ndërrime,” thotë hapur Snezhana.
Nga ana tjetër, mungesa e kujdesit nga ana e babait të saj gjatë fëmijërisë lë gjurmë që lehtësisht u reflektohen në marrëdhënien bashkëshortore. Kur nuk je mësuar çfarë do të thotë siguri emocionale, është e lehtë të pranosh mungesën e afërsisë si diçka normale.
MBËSHTETJA NUK DUHET TË JETË E MADHE, POR DUHET TË JETË E VËRTETË
“Fillova të bëhesha depresive dhe me orë të tëra shikoja në një pikë. U dobësova — humba 20 kilogramë për një periudhë shumë të shkurtër,” thotë ajo. Dhuna psikologjike tashmë kishte dëmtuar shëndetin dhe identitetin e saj. Shkuarja te psikologu ishte pikë kthese për Snezhanën, momenti kur për herë të parë foli për problemet e saj dhe ndjeu lehtësim.
Kur më në fund vendosi të largohej nga dhuna, mbështetja erdhi nga mikeshat dhe koleget e saj. “Që në ditët e para më dërguan enë për në shtëpi dhe çarçafë. Mjaftoi për të filluar nga e para,” thotë ajo. Nga familja nuk ka marrë mbështetje të madhe, por kishte apartamentin e vet — dhe kjo ishte kyçe. Kishte ku të shkonte dhe ku të fillonte nga e para.
STIGMA NUK MBARON ME DIVORCIN
Në mjediset e vogla, divorci ende shihet si dështim personal dhe jo si guxim. Gratë që largohen nga dhuna përballen me një formë të re izolimi — nga mikeshat, fqinjët, madje edhe nga institucionet.
“Më pengonte fakti që njerëzit menjëherë të shikonin ndryshe,” thotë Snezhana. “Më duhej një hidraulik, por ai nuk donte të vinte në shtëpinë time që ish-burri të mos mendonte diçka të gabuar ose banorët e ndërtesës të mos mendonin gjëra.”
Shumë i sugjeruan të ruante martesën për hir të fëmijëve, gjë që e bëri të ndihej edhe më keq.
Në qytetet e vogla, thotë ajo, divorci është veçanërisht i vështirë për t’u tejkaluar. “Ende ndihem e papranuar. Në palestër ku fillova të shkoj dhe në kafene gjithmonë ka komente të këqija dhe vërejtje që më bëjnë të ndihem keq.”
Stigma u përhap edhe në marrëdhëniet private — një mike me të cilën ka pasur marrëdhënie të ngushtë ndërpreu komunikimin pasi burri i saj i tha të mos shoqërohej me gra të divorcuara. As shkolla nuk siguroi komunikim të barabartë pasi babai ka kërkuar që t’a kontaktonin vetëm atë.
DHIMBJA MË E MADHE ËSHTË LARGËSIA NGA FËMIJËT
Snezhana arriti ta kalonte depresionin me ndihmë profesionale, por lufta e saj vazhdon. Dhuna ka mbetur në të kaluarën, por ajo që ende i shkakton dhimbjen më të madhe është largësia nga fëmijët. Në rastin e tyre, kujdestaria i takon babait, dhe megjithëse marrëveshja parashikon komunikim të lirë me fëmijët, kjo nuk ndodh.
“Më dhemb më shumë fakti që fëmijët e mi më shmangin dhe nuk duan të komunikojnë me mua. Jam një prind i larguar,” thotë Snezhana. “Po të ishin më të vegjël, do t’i sillnin në Qendrën e Punëve Sociale për të realizuar takime. Por tani, kur janë më të rritur, nuk ekziston mekanizëm përmes të cilit mund ta vendos atë lidhje.”
Historia e Snezhanës është një rikujtim se këto beteja nuk mbarojnë me divorc. Përvoja e saj tregon se mbijetesa nuk do të thotë shërim i plotë. Prandaj është e rëndësishme që sistemi të reagojë me kohë dhe me përgjegjësi, të ofrojë mekanizma për komunikim, mbrojtje dhe mbështetje psikologjike. “Njerëzit duhet të kuptojnë se dhuna — psikologjike dhe fizike — nuk është film për t’u parë. Duhet të veprohet kundër saj, sepse mund t’i ndodhë kujtdo,” apelon Snezhana.
