Lajme
02 Dhj

Heroinë nr. 4 (16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore 2025)

02 Dhjetor 2025

Danica, nënë e vetme e tre fëmijëve, viktimë e dhunës në familje, arrin të largohet nga një lidhje e dhunshme falë mbështetjes së një organizate qytetare. Pavarësisht kërcënimeve, ndjekjes dhe pasigurisë ekonomike, ajo arriti të fitojë kujdestarinë, mbrojtjen ligjore dhe një fillim të ri. Sot, përmes punimit të bizhuterive, ajo ndërton rrugën drejt pavarësisë financiare dhe shërimit psikologjik, duke përfshirë edhe fëmijët e saj në këtë proces. Historia e saj është dëshmi e guximit, forcës së nënës dhe rëndësisë së mbështetjes së duhur në kohë.

SHPRESA SI KURTH

Danica e ka humbur babain e saj kur ishte trembëdhjetë vjeç. Jeta e mësoi se si është të rritesh pa mbështetje prindërore dhe pikërisht për këtë, kur u bë nënë, dëshironte që fëmijët e saj të kishin një baba pranë tyre. Kjo ishte arsyeja e parë pse përpiqej ta ruante martesën.

“Problemet filluan që me shtatzëninë e parë. Ishte agresiv, i dhunshëm. Tre ditë gjithçka do të ishte mirë, dhjetë ditët e tjera gjithçka si më parë,” rrëfen ajo. Dhuna nuk ishte vetëm fizike. Ishte emocionale, psikologjike, ekonomike. Viktimat e dhunës në familje shpesh mbeten në lidhje sepse shpresojnë se diçka do të ndryshojë.

Psikologët shpjegojnë se shpresa për ndryshim është pjesë e ciklit të dhunës – pas çdo sulmi pason një periudhë “qetësie”, kërkim faljeje ose injorimi, që ushqen iluzionin se ndoshta do të bëhet më mirë. “Mendoja se po bëja gjënë e duhur për fëmijët, por gjatë gjithë kohës vuaja. Gjërat nuk shkonin aspak më mirë. Filloi të më maltretonte pa zgjedhur nëse fëmijët ishin me mua, nëse flinin apo jo,” – pranon Danica.

VARFËRIA SI BASHKËPUNËTOR I HESHTUR

Në Maqedoninë e Veriut, shumë gra përballen me varfëri strukturore, veçanërisht kur bëhen nëna të vetme. “Me tre fëmijë të mitur dhe pa mbështetje financiare, nuk dija ku të shkoja.” Varësia ekonomike është një nga pengesat më të mëdha për të dalë nga një marrëdhënie e dhunshme. Kur nuk ke të ardhura, hapësirë tënden, as siguri se do të mund t’i ushqesh fëmijët – zgjedhja për t’i dhënë fund historisë duket e pamundur.

NGA FRIKA TE KUJDESTARIA – MBËSHTETJA NDRYSHON GJITHÇKA

Në një moment të pasigurisë totale, kur Danica nuk dinte ku të drejtohej, tezja e saj i sugjeroi të kërkonte ndihmë nga një organizatë qytetare që ofron mbështetje ligjore dhe psikologjike falas për gratë. “E dija që më duhej ndihmë financiare dhe ligjore, nuk kisha asgjë,” thotë ajo.

Frika ishte e vazhdueshme. Ai e ndiqte, e shantazhonte, e kërcënonte se do ta vriste. “Nuk guxoja ta denoncoja. Duroja gjithçka,” pranon ajo. Por përmes organizatës qytetare, Danica gjeti hapësirë për të folur, për t’u mbrojtur, për të filluar të besonte se dalja ishte e mundur. “Me shumë forcë dhe shpresë, fillova të besoj se do të arrija t’i shpëtoja fëmijët, por edhe veten.”

Divorci dhe marrja e kujdestarisë ishin pikë kthese — ligjore dhe personale. Për shumë gra, ky është një hap që duket i paarritshëm. Për Danicën, kjo ka qenë dëshmi se lufta e saj nuk ishte e kotë, por edhe konfirmim se institucionet mund të qëndrojnë pas një gruaje që ka guxuar të flasë, që ka kërkuar ndihmë dhe ka treguar se meriton mbështetje.

BIZHUTERIA SI TERAPI DHE SIGURI

Mbështetja nga organizata qytetare nuk përfundoi vetëm me ndihmën psikologjike dhe ligjore. Për Danicën, ky ishte vetëm fillimi. Organizata i ofroi edhe mundësi për fuqizim ekonomik. “Me ta filluam punimin e bizhuterive – kjo për mua është një mbështetje e madhe ekonomike, por edhe lehtësim psikologjik.” Danica jo vetëm që mëson të dizajnojë bizhuteri, por i mëson edhe fëmijët e saj zanatin, vetëbesimin, vlerat.

“Është ndjenjë e mirë kur krijon diçka vetë, kur punon dhe nga ajo del një vepër me të cilën krenohesh,” rrëfen Danica.

Historia e Danicës nuk është përjashtim — ajo është pasqyrë e shumë grave në Maqedoninë e Veriut. Por është edhe dëshmi se mbështetja, mbrojtja ligjore dhe autonomia ekonomike mund ta ndryshojnë jetën. Ajo tregon se sa e rëndësishme është që gratë të marrin ndihmë me kohë, të dëgjohen, të mbrohen dhe të inkurajohen.

Kjo histori është thirrje drejtuar institucioneve dhe komunitetit për të mbrojtur dhe për të mbështetur gratë, por edhe thirrje për çdo grua: të mos heshtë, të kërkojë ndihmë dhe të besojë se është e mundur. Edhe kur duket e pamundur.