Lejla është nënë e dy fëmijëve dhe viktimë e dhunës në familje. Pas 17 vitesh të mbushura me frikë, kërcënime dhe dhimbje, ajo arrit të largohet nga dhunuesi dhe të fillojë një jetë të re. Edhe krahas traumës shumëvjeçare, sëmundjes dhe pengesave institucionale, ajo arriti të fitojë divorcin, kujdestarinë dhe sigurinë për veten dhe fëmijët e saj.
Me mbështetjen e psikologut, miqve dhe institucioneve, sot jeton me qira, është e punësuar dhe përsëri ndihet si grua.
HESHTJA NUK ËSHTË FLORI
Lejla u martua e re. Ishte shtatzënë dhe kishte shpresë se do të krijonte një familje të qëndrueshme. Por, menjëherë pas martesës, bashkëshorti shkoi në burg për trafik droge. Ajo mbeti vetëm me një foshnjë, pa të ardhura të veta, me prindër që kishin vështirësi shëndetësore. “Shumë gjëra i heshtja dhe gënjeja, vetëm që të mos u bëhesha barrë. Nuk doja t’i shqetësoja më shumë,” rrëfen ajo.
Pas tre viteve të vështira, bashkëshorti u kthye nga burgu. Ajo mendoi se më e keqja kishte kaluar. “Shpresoja se do të qetësohej, se do të fillonim nga e para. Por e gënjeja veten, pikërisht atëherë filloi kalvari.” Dhuna ishte e vazhdueshme — fizike, psikologjike, ekonomike. “Më godiste, më ofendonte, më akuzonte se vajza nuk ishte e tij. Më detyroi të bëja testin e ADN-së për t’ia vërtetuar.”
Prindërit e morën vesh, por nuk mund ta mbronin. Ai i kërcënonte edhe ata. “Kisha frikë për të gjithë. Fëmijët rriteshin në frikë. Djali im u sëmur nga diabeti. Paratë që fitoja nuk mjaftonin — ai m’i merrte për drogë. Nëse nuk i jepja, fillonte tmerri.” Në përpjekje për t’i mbrojtur fëmijët, ajo pranoi të shpërngulet jashtë vendit.
KUR TRUPI THOTË JO
Pas viteve të tëra heshtjeje dhe ekspozimi të pandërprerë ndaj dhunës, viteve të traumës dhe frikës, emocionet e shtypura lanë gjurmë. Psoriaza ishte shenja e parë. Më pas — diagnoza me kancer. “Shihja si trupi im po shpërbëhej. Gjithçka ishte aq keq, sa kërkova ndihmë në Klinikën e Sëmundjeve të Lëkurës në Shkup. Aty më diagnostikuan me kancer.”
Kur e pa vdekjen me sy, kuptoi se nuk kishte më kohë për të pritur. Diagnoza me kancer ishte një tjetër goditje, por edhe një sinjal. Kimioterapia ishte e vështirë, flokët i binin, trupi ndryshonte, por pikërisht ai transformim fizik e nxiti edhe ndryshimin psikologjik. “Shihja se si po ndryshoja, dhe i thashë vetes — është koha të ndryshoj edhe nga brenda. Të mos duroj më.” Ky ishte momenti kur filloi të besonte se mund të arrinte. Jo vetëm të mbijetonte, por edhe të çlirohej nga ai dhe nga ajo mënyrë jetese. “Nëse mund ta mposht sëmundjen, duhet ta zgjidh edhe këtë problem,” thotë ajo.
FORCA PËR NDRYSHIM
Në fillim, institucionet nuk dinin si ta ndihmonin. Siç thotë vetë: “Sillesha si person i paqëndrueshëm — 16 herë bëja kallëzim, pastaj e tërhiqja. Kisha frikë, shpresoja, dyshoja. Dhe ata më shihnin sikur nuk e dija çfarë doja.” Por ndryshimi i vërtetë fillon kur ajo vetë vendos të luftojë. “Nëse duam ndihmë të vërtetë, duhet së pari të guxojmë ne. Varet nga ne.”
Forca më e madhe ishte mbështetja psikologjike. “Këshillimi, udhëzimet që merrja nga psikologu më ndihmuan të kuptoj se unë nuk jam fajtore për dhunën. I vetmi fajtor është bashkëshorti im — dhunuesi.” Psikologu ishte në dispozicion në çdo moment. “Kur isha jashtë vendit, flisnim online. Më ndihmoi të kuptoj se nuk jam fajtore. Se nuk jam vetëm.”
Më vonë, mbështetje mori edhe nga institucionet. “MPB-ja, Prokuroria Publike dhe Qendra për Punë Sociale filluan të shihnin më me seriozitet historinë time.” Kjo ishte dëshmi se sistemi reagon, por është e rëndësishme që gruaja të flasë me kohë dhe të mos hezitojë.
GRUA QË I PËRKET SËRISH VETES
Pas 17 viteve në të cilat fytyra e vet i ishte e panjohur, sot e sheh sërish veten. “Tani pas kaq kohe mendoj për pamjen time. Dua të kujdesem për veten. Fëmijët janë të habitur. Më shohin të kuruar, pa lot, pa sy të skuqur dhe rrathë të errët. Jam krenare për veten.” Suksesi për të nuk do të thotë status, por qetësi. “Të flesh qetë dhe në paqe. Të qeshësh me fëmijët e tu. Të mund të ftosh një mike pa u frikësuar se si do të reagojë ai.”
Punon, jeton me qira, i organizon vetë obligimet. “Ndjehem shumë më mirë. I kryej obligimet kur dua unë, jo kur dikush më urdhëron me sharje dhe goditje.” Puna i sjell siguri financiare, por edhe hapësirë për veten. “Dal nga shtëpia, shoqërohem me njerëz të tjerë. Nuk mendoj vetëm për problemet.”
Qëllimet i ka të qarta: të jetë e qëndrueshme, t’i mësojë fëmijëve vlerat, të jetë shembull. “Dua të jem shembull për vajzën time — që dhuna nuk duhet të durohet. Dhe djali të dijë se nuk ka të drejtë të ngrejë dorë mbi një vajzë.”
Historia e Lejlës është zëri i shumë grave që presin dhe heshtin, duke shpresuar se dhuna është vetëm një fazë. Por, asnjë grua nuk duhet të besojë në fuqinë e heshtjes. Heshtja është kurth. Gruaja duhet të mësojë se goditja e parë është veçse e tepërt. Dhe se atëherë duhet të fillojë fundi i lidhjes ose martesës. Lufta e saj është personale, por edhe kolektive. “Unë luftoj dhe do të luftoj — për veten, për fëmijët, për të gjitha gratë. Sepse së bashku jemi më të forta. Sepse është më e lehtë kur e di se nuk je vetëm.”
Kjo histori është rikujtim se çdo grua ka të drejtën e zërit, për zgjedhje, për jetë pa frikë. Dhe thirrje: të mos pritet. Të thuhet stop me kohë. Të fillohet një kapitull i ri me paqe, dinjitet dhe forcë.
