Ftesë për konsultime mbi prioritetet e Thirrjes për propozime “Veprim qytetar dhe qëndrueshmëri e komunitetit” në kuadër të Mekanizmit të BE-së për Qëndrueshmëri Civile
Mekanizmi i BE-së për Qëndrueshmëri Civile (EU CRM) – Faza II: Mbështetje për Shoqërinë Civile dhe Organizatat Bazë është një projekt i financuar nga BE-ja, i cili u ofron mbështetje në natyrë organizatave të vogla dhe organizatave bazë të shoqërisë civile (OSHC) në të gjithë Maqedoninë e Veriut. Ai i ndihmon organizatat e shoqërisë civile të sjellin ndryshime kuptimplota në komunitetet e tyre, veçanërisht ato që veprojnë jashtë qyteteve të mëdha dhe u shërbejnë njerëzve që shpesh lihen pas dore. I udhëhequr nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian, EU CRM u ofron mbështetje praktike dhe konkrete organizatave që kanë më shumë nevojë për të.
Thirrja e parë e EU CRM për propozime për mbështetje në natyrë, “Mbështetje për të rinjtë për fuqizim ekonomik dhe ndërmarrësi në rajonin e Koçanit”, mbyllet më 16 nëntor 2026. Thirrja e dytë e EU CRM për propozime, “Veprim qytetar dhe qëndrueshmëri e komunitetit”, është planifikuar të shpallet në mesin e dhjetorit 2026.
Për këtë qëllim, EU CRM ka nisur një varg konsultimesh me organizatat e shoqërisë civile (OSHC), për të identifikuar së bashku prioritetet e kësaj Thirrjeje. Procesi i konsultimit bazohet në pesë prioritete paraprake, të hartuara në bazë të mësimeve të nxjerra nga Faza I e EU CRM (lidhja për Fazën I) dhe të një analize të nevojave aktuale në vend.
Për të siguruar pjesëmarrje të gjerë të OSHC-ve nga i gjithë vendi, procesi i konsultimit do të kombinojë tri takime konsultative – një me prani fizike në Qendrën Burimore për Shoqërinë Civile (CRC) në Shkup dhe dy online – me një pyetësor online në nivel kombëtar. Të tria takimet organizohen në bashkëpunim me CRC-në.
OSHC-të ftohen të kontribuojnë në përcaktimin e prioriteteve të Thirrjes, duke marrë pjesë në takimet konsultative dhe duke plotësuar pyetësorin online.
Ju ftojmë të merrni pjesë në një nga takimet konsultative të mëposhtme:
- Shkup, 24 nëntor 2026 (11:00–13:00), me prani fizike në Qendrën Burimore për Shoqërinë Civile: regjistrohuni duke shkruar në crm-helpdesk@eu4cr.mk të paktën një ditë para takimit. Nga secila organizatë mund të marrin pjesë deri në dy persona. Nëse keni nevojë për ndonjë mbështetje për të marrë pjesë, për shembull në lidhje me qasshmërinë, ju lutemi të na njoftoni gjatë regjistrimit.
- Online, 27 nëntor 2026 (11:00–13:00): regjistrohuni në https://us02web.zoom.us/meeting/register/uZH0iQAjRBGXrX3UpBe_tQ
- Online, 1 dhjetor 2026 (11:00–13:00): regjistrohuni në https://us02web.zoom.us/meeting/register/msPVtQq_RzOxQL-po3weqQ
Pasi të regjistroheni për takim online, do të merrni një email konfirmimi me të dhënat për t’u bashkuar në takim.
Përveç kësaj, ju ftojmë gjithashtu të plotësoni pyetësorin online nga 16 nëntori deri më 2 dhjetor 2026, deri në orën 17:00, në lidhjen e mëposhtme: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSf0e3McAdpu4MWbWCwFSOxY89fK-ifM0GzRoNouymT_6jGXQQ/viewform. Plotësimi i pyetësorit zgjat rreth 10 minuta.
Do të dëshironim të dinim sa relevante janë pesë prioritetet paraprake për komunitetin tuaj, cilat aktivitete i konsideroni më të rëndësishme në kuadër të secilit prioritet, si dhe nëse duhet të adresohen nevoja ose fusha të tjera shtesë.
Ju lutemi, dërgoni vetëm një përgjigje për organizatë. Pjesëmarrja në procesin e konsultimit nuk do të ndikojë në përshtatshmërinë apo në vlerësimin e organizatës suaj në kuadër të Thirrjes.
Nëse keni pyetje, ju lutemi kontaktoni Helpdesk-un e EU CRM në crm-helpdesk@eu4cr.mk.
Ju falënderojmë paraprakisht për kontributin tuaj.

