Apply in 123 simple steps
Vlerat tona

Dinjiteti njerëzor

Dinjiteti njerëzor është themeli i shoqërisë evropiane. Ai është i paprekshëm dhe duhet respektuar e mbrojtur gjithmonë. Të gjitha të drejtat themelore rrjedhin nga ky parim.

Liria

Liria nënkupton të drejtën për të lëvizur, jetuar dhe punuar në të gjithë Bashkimin. Ajo mbron gjithashtu liritë personale, si privatësinë, besimin, tubimin dhe shprehjen. Këto liri garantohen nga Karta e të Drejtave Themelore e BE-së.

Demokracia

BE-ja është ndërtuar mbi demokracinë përfaqësuese. Qytetarët kanë të drejtën të votojnë dhe të kandidojnë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, qoftë në vendin e tyre të origjinës apo të banimit. Pjesëmarrja politike është një gur themeli i qytetarisë evropiane.

Barazia

Barazia siguron që të gjithë qytetarët të trajtohen njësoj përpara ligjit. Ajo përfshin barazinë gjinore dhe mundësi të barabarta në çdo fushë të jetës. Ky parim ka udhëhequr integrimin evropian që nga Traktati i Romës.

Shteti i së drejtës

BE-ja bazohet në shtetin e së drejtës. Çdo veprim i saj mbështetet në traktate të miratuara vullnetarisht dhe në mënyrë demokratike nga shtetet e saj anëtare. Ligji dhe drejtësia mbrohen nga një gjyqësor i pavarur, me Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian si autoritetin final — vendimet e së cilës janë të detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare.

Të drejtat e njeriut

Të drejtat e njeriut mbrohen nga Karta e të Drejtave Themelore e BE-së. Këto përfshijnë mbrojtjen nga diskriminimi, mbrojtjen e të dhënave personale dhe aksesin në drejtësi. Çdo qytetar gëzon këto të drejta në mënyrë të barabartë.

Ditët informative

Mësoni si të aplikoni për mbështetje nga EU CRM

Më 15 tetor 2026, duke filluar nga ora 11:00, në hotelin Amor në Koçan do të mbahet një sesion informativ për thirrjen e re të BE-së për propozime për “Mbështetje për të rinjtë për fuqizim ekonomik dhe ndërmarrësi në rajonin e Koçanit”. Organizatat lokale të shoqërisë civile që veprojnë në rajonin e Koçanit do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë për procesin e aplikimit dhe të marrin udhëzime praktike për përgatitjen e projekt propozimeve.

Sesioni informativ u drejtohet organizatave lokale të shoqërisë civile nga rajoni i Koçanit, përkatësisht komunave të Koçanit, Çeshinovë-Obleshevës, Zrnovcit dhe Vinicës. Pjesëmarrësit do të njoftohen me prioritetet e thirrjes, kërkesat dhe procesin e aplikimit, si dhe me hapat praktikë për përgatitjen dhe dorëzimin e propozimeve të projekteve. Gjatë sesionit do të prezantohen edhe Udhëzimet për Aplikantët, Formulari i Aplikimit dhe Modeli i Buxhetit, ndërsa organizatat do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje dhe të marrin sqarime të mëtejshme lidhur me përgatitjen e aplikimeve të tyre.

Për të marrë pjesë në sesionin informativ, ju lutemi regjistrohuni përmes email-it në crm-helpdesk@eu4cr.mk, deri më 14 tetor 2026, në orën 17:00.